Pyetje dhe Përgjigje për Fondin e Pensionit
Përse një Fond Pensioni Vullnetar?
Ndërsa arrijmë moshën e pensionit, të ardhurat (kursimet) do të pësojnë ulje, prandaj ne duhet të sigurojmë mjetet tona për stabilitet financiar dhe siguri pas daljes në pension, gjë që mundëson ruajtjen e standardit të jetesës. Pensioni shtetëror nuk mjafton dhe skema me të cilën operon është gjithmonë në përkeqësim, prandaj është e rëndësishme të kurseni sot, në mënyrë që të keni kursimet tuaja në momentin e daljes në pension.
Si funksionon një Fond Pensioni Vullnetar?
Për t’u bërë pjesë e Fondit të Pensionit Albsig duhet të nënshkruhet kontrata e anëtarësimit. Shuma e pagesave të pensionit që përfitohet në të ardhmen do të varet nga shuma e kontributeve, norma e kthimit të fituar nga investimet e kontributeve, periudha e investimit si dhe nga kohëzgjatja e pagesave të pensionit në të ardhmen. Shuma minimale e kontributit për secilin është 1,000 lekë. Fondi i Pensionit Vullnetar ndahet në dy skema: Skema Profesionale (në të cilën përfitohet dhe kontributi i kompanisë) dhe Skema Individuale. Banka Depozitare është Banka Tirana. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ushtron mbikëqyrje mbi aktivitetet e Shoqërisë Administruese, të Fondit dhe Depozitarit.
Sa të sigurta janë paratë e mia? Ku do të investohen këto para?
Asetet e Fondit të Pensionit Albsig do të investohen vetëm në:
Tituj shtetërorë të emetuar dhe të garantuar nga Qeveria e Shqipërisë, kryesisht në Obligacione Afatgjatë të emetuara në Republikën e Shqipërisë, depozita bankare dhe cash. Këto janë asetet me “rrezik kredie” më të ulët në treg, krahasuar me asetet e tjera financiare.
Pra investimi kryesisht në Obligacione Afatgjatë 10 vjeçare garanton:
Siguri financiare dhe Siguri Operacionale (asetet e fondit ruhen në një regjistër elektronik pranë Bankës së Shqipërisë). Aksesi dhe kontrolli mbi këtë regjistër realizohet nga Banka Depozitare.
Ndarja e aseteve financiare të Shoqërisë Administruese dhe Fondit i bën asetet e fondit “të paprekshme” për qëllime përfitimi nga Shoqëria Administruese.
Përse fond pensioni dhe jo bankë?
Nga vetë emri është Fond Pensioni që nuk mund të përdoret për qëllime të tjera. Ju mund të tërhiqni shumën e depozituar:
- 5 vjet para moshës së daljes në pension;
- gjatë moshës së pensionit; dhe
- në rast humbjeje aftësie për punë në mënyrë të përhershme.
Normalisht paratë mund të tërhiqen edhe më përpara por kundrejt penaliteteve të përcaktuara në ligj që vlejnë për çdo Fond Pensioni në Shqipëri. Gjithashtu ofron depozitim të shumave të vogla nën minimumin e kërkuar të depozitave, të bonove dhe obligacioneve dhe mundësia e kryerjes së pagesave në mënyrë automatike çdo muaj.
Në qoftë se unë s’e arrij dot moshën e pensionit, çfarë ndodh me paratë e mia?
Çdo kontribut në Fondin e Pensionit është i trashëgueshëm dhe i transferueshëm. Asetet në llogarinë e tij do t’i shpërndahen trashëgimtarëve në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë trashëgiminë.
Transferimi i aseteve në Fondin e ri duhet të përfundojë jo më vonë se dita e parë e punës pas 10 ditësh pune, pasi shoqëria administruese e Fondit të mëparshëm të pensionit ka marrë njoftimin nga anëtari. Individi duhet të ketë shlyer të gjitha detyrimet në Fondin e mëparshëm.
Sa transparent do të jetë?
Çmimi i kuotës dhe vlera neto e aseteve publikohen çdo ditë në faqen zyrtare të Shoqërisë Administruese (www.albsiginvest.al). Çdo anëtar do ketë një llogari (user dhe password) të cilën mund ta përdorë në çdo moment për të parë të dhënat mbi kontributet e paguara, çmimin e kuotës, vlerën totale neto të tij dhe çdo informacion tjetër të rëndësishëm.
Cili është ndryshimi midis Shoqërisë suaj dhe Shoqërive të tjera që ofrojnë këtë produkt në treg?
Tarifa e administrimit të Fondit të Pensionit Albsig do të mbahet nga asetet e Fondit. Ajo do të jetë 2.5% në vit e vlerës neto të aseteve të Fondit që është ndër më të ultat në treg. Menaxhimi profesional i investimeve dhe integriteti i lartë është një karakteristikë që na dallon.
Si mund t’i tërheq unë paratë e mia në momentin e përmbushjes së kushteve ligjore?
Format e tërheqjes së parave janë:
-
Në mënyrë të menjëhershme;
-
Në mënyrë periodike me këste;
-
Kombinim i 2 (dy) mënyrave të mësipërme.
A mund të tërhiqemi në çdo kohë dhe ju përmendët penalitetet në rast tërheqjeje të parakohshme, cilat janë ato?
Po, mund të tërhiqeni në çdo kohë sipas kushteve të parashikuara në ligj. Penalitetet në rast tërheqjeje të parakohshme janë:
-
2%, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer pas 20 vitesh nga data e kontributit të parë;
-
5%, për çdo tërheqje të parakohshme kryer në periudhën kohore që fillon pas 10 vitesh nga data e kontributit të parë deri në 20 vjet nga data e kontributit të parë, përfshirë edhe vitin e 20-të;
-
10%, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore që fillon pas 5 vitesh nga data e kontributit të parë deri në 10 vjet nga data e kontributit të parë, përfshirë edhe vitin e 10-të;
-
15%, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore deri në 5 vjet nga data e kontributit të parë përfshirë edhe vitin e 5-të;
Vendosja e penaliteteve për tërheqjet e parakohshme ka për qëllim dekurajimin e investitorëve për te tërhequr Fondet e Pensionit me qëllim kryerjen e shpenzimeve të panevojshme.
Kur ndërpritet marrëveshja e anëtarësisë në Fond?
Anëtari ndërpret marrëveshjen;
-
Kur anëtari humb jetën para moshës së daljes në pension;
-
Kur llogaria e anëtarit transferohet plotësisht në një Fond tjetër (pasi ka shlyer të gjitha detyrimet).
Çfarë përfitimesh ka punëdhënësi?
-
Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij vlerësohen si shpenzim operativ, deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me 250,000 lekë dhe kjo shumë vlerësohet si shpenzim i zbritshëm, për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit;
Gjithashtu me anë të kësaj skeme punëdhënësi do te ketë:
- Ulje të “qarkullimit” të punonjësve;
-
Punonjës më të motivuar dhe produktiv.
Çfarë përfitimesh ka individi?
-
Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij, për efekt tatimi mbi të ardhurat personale;
-
Kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200,000 lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit;
-
Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 250,000 lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.