Fondi i Investimit
Fondi i Investimit ALBSIG STANDARD është një sipërmarrje investimesh kolektive (SIK) me ofertë të hapur publike, i krijuar për një afat të pacaktuar, i licensuar në Republikën e Shqipërisë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe themeluar e menaxhuar nga Albsig Invest Sh.a.
Fondi do të investojë kryesisht në bono dhe obligacione të Shtetit Shqiptar dhe i adresohet klientëve konservator me një horizont afatmesëm investimi 2-5 vjet duke ofruar likuiditet të lartë (mundësi e tërheqjeve të shumave në çdo kohë).
Elementet kryesore të politikës së investimit janë:
- Objektivi: Fondi synon maksimizimin e fitimit duke ruajtur principalin dhe likuiditetin;
- Toleranca për rrezik: E ulët;
- Horizonti i Investimit: Afatmesëm (2-5 vjet).
Karakteristikat dhe Avantazhet e Fondit
- Mundësi diversifikimi i investimeve: Fondet e Investimit ofrojnë për individët mundësinë e diversifikimit duke investuar në disa letra me vlerë, të cilën individët nuk mund ta kryejnë vet;
- Komisioni vjetor i administrimit: 1% – Tarifa e kostos së administrimit i zbritet të ardhurës bruto të realizuar nga asetet e fondit;
- Profil i ulët i rrezikut: Investimi në bono dhe obligacione të Republikës së Shqipërisë cilësohet si investimi me rrezikun më të ulët se asetet e tjera në tregun e kapitalit në Shqipëri;
- Likuiditet i Lartë: Invesitori mund të tërhiqet në çdo moment pa prishur interesin e fituar deri në atë moment;
- I trashëgueshëm dhe i transferueshëm: Investitorët mund t’i transferojnë kuotat e tyre nga një fond në një fond tjetër. Në rast humbje jete të investitorit, fondi i kalon trashëgimtarëve.
- Transparencë e lartë: Investitorëve iu jepet një username dhe pasword të cilat i përdorin për të aksesuar llogarinë e tyre “online”, e cila paraqet performancën dhe të dhëna të tjera në lidhje me Fondin;
- Mundësia e investimeve në shuma të vogla (në krahasim me bonot dhe obligacionet qeveritare apo dhe depozitat) të cilat i shtohen investimit fillestar;
- Menaxhim profesional i investimeve: Investimet kryhen nga një staf i çertifikuar nga CFA Institute, i njohur në rang botëror për standardet më të larta të profesionalizmit dhe etikës në menaxhimin e investimeve;
- Fondi nuk është një depozitë dhe si i tillë nuk sigurohet nga (ASD).
- Fondi nuk garanton një normë interesi të përcaktuar. Normat e interesit janë në varësi të ecurisë së tregut dhe mund të luhaten, duke ndikuar dhe në luhatjen e vlerës së investimit.
Blerja e Kuotave
Për të investuar (blerë kuota) në fondin e Investimit ALBSIG STANDARD ju mund të paraqiteni në zyrat e Albsig Invest (Rr. Barrikadave, Albsig HQ, Kati 8, Tiranë), në degët e Albsig Sha, apo pranë agjentëve që kanë lidhur një kontratë për kryerjen e shërbimit të blerjes së kuotave (adresa e tyre ndodhet në website-in e Shoqërisë Administruese tek seksioni Fondet e Investimit/Personat e Autorizuar për Shitje), të merrni informacionin / dokumentacionin e Fondit dhe të plotësoni një kërkesë për blerjen e kuotave. Blerja e kuotave do të kryhet vetëm nëpërmjet pagesës së mjeteve monetare.
Kërkesa për Blerje të Kuotave Mund të Plotësohet si:
- Pagesë e menjëhershme e cila nënkupton investimin e një shume të vetme;
- Plan investimi, i cili nënkupton një investim periodik nëpërmjet pagesave të rregullta në vazhdimësi.
Çdo pagesë për blerje kuotash (e ndarë si proces nga procesi i blerjes së kuotave nëpërmjet kërkesë për blerje) kryhet në llogarinë bankare të Fondit me IBAN: AL49 2061 1004 0000 1003 2129 9100, të hapur pranë Bankës Depozitare, e cili është Banka Tirana Sh.a., në një nga mënyrat e mëposhtme:
- Pagesë cash direkt në llogarinë pranë Bankës Depozitare;
- Transfertë nga llogaria e investitorit (pranë çdo banke tjetër të nivelit të dytë) drejt llogarisë së Fondit, kundrejt kushteve në punë.
Shembull Blerje Kuotash
Çmimi i kuotës në një fond investimi llogaritet çdo ditë. Çdo blerje apo shlyerje kuotash në Fond do të bëhet në lekë. Vlera në para e investitorit del duke shumëzuar numrin e kuotave të tij me çmimin për kuotë.
Shlyerje e Kuotave
Investitorët apo mbajtësit e kuotave kanë të drejtë që të kërkojnë në çdo kohë shlyerjen e kuotave. Investitori duke u paraqitur pranë degëve të Albsig apo agjentëve që kanë lidhur një kontratë për kryerjen e shërbimit të shitjes (adresa e tyre ndodhet në website-in e Shoqërisë Administruese tek seksioni Fondet e Investimit/Personat e Autorizuar për Shitje) duhet të nënshkruajë një kërkesë për shitjen e kuotave. Në këtë kërkesë për shitje apo shlyerje të kuotave, investitori duhet të vendosë dhe numrin e llogarisë të një banke të nivelit të dytë pasi asetet monetare do të kalojnë nga llogaria e Fondit pranë Bankës Depozitare drejt llogarisë së investitorit. Shoqëria Administruese duhet të respektojë kërkesën e investitorëve për shlyerjen e kuotave jo më gjatë se 7 (shtatë) ditë kalendarike nga data e regjistrimit të kërkesës për tërheqje. Çmimi i zbatueshëm për tërheqje është ai i datës së regjistrimit të kërkesës.
Taksimi
Me shlyerjen e kuotave investitori duhet t’i nënshtrohet taksimit mbi të ardhurat. Taksimi i Fondit bazohet në Ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, si dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij. Investitori tatohet vetëm për vlerën e shtuar në fond.