Intervistë me Elton Korbi, Revista Monitor

“Fondet ngelen investim i mirë në afatin e mesëm dhe të gjatë

Elton KORBI

Drejtor i Përgjithshëm i Shoqërisë Administruese Albsig INVEST

Fondet e pensionit dhe të investimit në Shqipëri janë një alternativë e mirë për të zbutur pjesërisht efektet e inflacionit të lartë.

Elton Korbi, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë administruese Albsig Invest, thotë se, pavarësisht efektit negativ afatshkurtër nga rritja e normave të interesit, me një horizont investimi afatgjatë dhe afatmesëm, fondet e investimit në Shqipëri ofrojnë kthime të kënaqshme.

Sipas tij, rritja e normave të interesit do të sjellë gradualisht përfitime më të mëdha nga instrumentet e reja të investimit, sidomos për fondet e pensionit.

Si e vlerësoni ecurinë e fondeve të investimeve dhe fondit të pensioneve private në vitin 2021? Cilët ishin faktorët kryesorë që përcaktuan ecurinë e këtyre tregjeve vitin e kaluar?

Viti 2021 u karakterizua nga një përmirësim i vogël i situatës ekonomike krahasuar me vitin e mëparshëm. Megjithatë, ndikimi i pandemisë ishte ende i pranishëm, si në tregjet financiare, ashtu edhe në perceptimin e individëve.

Në këtë kuptim, në vitin 2021, individët vijuan të shfaqin pasiguri në nënshkrimin e një kontrate të re pensioni privat apo kontratë investimi.

Pavarësisht vijimit të ndikimeve të pandemisë, numri i anëtarëve të rinj në tregun e fondeve të pensioneve private u rrit me rreth 8.22%, ndërsa vlera neto e aseteve në të njëjtën periudhë u rritën me 27.23%.

Për sa i përket numrit të anëtarëve në tregun e fondeve të investimit, u rritën me 22.65%, ndërsa vlera neto e aseteve të fondeve u rrit me 15.26%.

Për ta përmbledhur, faktorët kryesorë që ndikuan në ecurinë e fondeve të pensionit dhe fondeve të investimit gjatë vitit 2021 ishin pasojat që pandemia la në ekonomi dhe veçanërisht, pasiguria për ecurinë dhe pritshmëritë që individët apo bizneset kishin për të ardhmen.

Duhet theksuar fakti se vitin e kaluar, Shoqëria Administruese Albsig Invest kishte nën administrim Fondin e Pensionit Albsig, i cili gjatë vitit 2021 shfaqi rritje rreth 60% në numër anëtarësh dhe rreth 230% në vlerë neto të aseteve. Gjithashtu Shoqëria administron dhe Fondin e Investimit Albsig Standard, që investon kryesisht në obligacione të Shtetit Shqiptar, i cili shfaqi rritje rreth 123% në numër anëtarësh dhe 97% në vlerën neto të aseteve.

Prej fundit të vitit të kaluar, ka nisur një tendencë e rritjes së normave të interesit/yield-eve për Euron, ndërsa muajt e fundit një tendencë e tillë po vërehet edhe për instrumentet në Lek. Çfarë ndikimi ka pasur deri tani kjo rritje për fondet e investimit dhe të pensioneve në Shqipëri?

Fondet e investimit që janë në monedhën Lek dhe të gjitha fondet e pensionit të licencuara investojnë vetëm në bono dhe obligacione të shtetit shqiptar. Rritja e normës bazë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, më 28 prill 2022, nga 0.5% në 1%, u reflektua në mënyrë të menjëhershme në ankandet pasuese të obligacioneve të shtetit shqiptar.

Fondet e investimeve në monedhën Lek vlerësojnë këto obligacione me “vlerë të drejtë” dhe rritja e normave të interesit sjell automatikisht ulje të vlerës së tyre.

Mungesa e njohurive financiare të mjaftueshme nga investitorët e kanë kthyer në një sfidë të vërtetë informimin dhe shpjegimin e këtij mekanizmi të thjeshtë tek investitorët, financiarët dhe studiuesit, edhe pse ky është koncepti më i zakonshëm që gjendet nëpër kurrikulat e financës apo investimeve.

Gjatë kësaj periudhe, jemi përpjekur që t’iu shpjegojmë investitorëve që duhet të kenë horizont investimi të paktën 2-vjeçar, në mënyrë që të përfitojnë një normë të kënaqshme për investimet e tyre.

Është e rëndësishme të theksohet se obligacionet qeveritare kanë një veçori, të cilat aksionet nuk e kanë, që pavarësisht se çfarë ndodh me normat e interesit gjatë kohës deri në maturim dhe vlerësimit të tyre, investitori, nëse qëndron deri në maturim të obligacionit, do të fitojë afërsisht normën e interesit të obligacionit, duke konsideruar faktin që obligacionet qeveritare e kanë rrezikun e kredisë pothuajse zero.

Nga sa më lart mund të konkludojmë se ndikimi i ndryshimit të normave të interesit në fondet e investimit që investojnë në obligacionet qeveritare, pavarësisht monedhës së investimit, është i lartë, duke bërë që kthimet e tyre të ulen ndjeshëm dhe në disa raste, për fonde të veçanta, kthimi gjatë periudhës shkurt-maj ka kaluar edhe në territor negativ.

Pavarësisht kësaj, investimi në fondet e investimit duhet konsideruar si një investim afatmesëm dhe afatgjatë, ndaj luhatje të tilla të normave në periudha afatshkurtra janë pothuajse normale.

Për sa u përket fondeve të pensionit në Shqipëri, të gjitha investojnë në obligacione të shtetit shqiptar, por ndryshe nga fondet e investimit, obligacionet nuk i vlerësojnë me “vlerë të drejtë”, por i mbajnë me “kosto të amortizuar”. Në këtë kuptim, ndryshimi i normave të interesit për këto obligacione nuk ndikojnë drejtpërdrejt në kthimin afatshkurtër të këtyre investimeve dhe në kthimin e fondeve të pensionit.

Një nga rreziqet e inflacionit të lartë është ulja e kthimeve reale nga investimet afatgjata, sidomos të atyre të lidhura me fondet e pensionit. Si mund të amortizohet ky efekt, në kushtet e alternativave të kufizuara të investimit që ofron tregu financiar në Shqipëri?

Tregu financiar në Shqipëri ofron vetëm bono dhe obligacione të shtetit shqiptar që emetohen nëpërmjet ankandeve të organizuar nga Banka e Shqipërisë. Në tregun e kapitaleve kanë filluar të emetohen obligacione të disa bankave të nivelit të dytë dhe institucioneve të tjera financiare që ofrohen në formë private.

Zakonisht, obligacionet për nga natyra e flukseve të parasë që ato gjenerojnë, nuk janë mbrojtës të mirë të inflacionit. Asetet që kanë lidhje direkte me ekonominë reale si aksionet, pasuritë e paluajtshme dhe asete të tjera alternative, përdoren kryesisht për të pasur një mbrojtje më të mirë nga inflacioni. Disa shtete emetojnë obligacione qeveritare ku normat e tyre indeksohet me normën e inflacionit ose të ashtuquajturat “I bonds”.

Fondet e pensionit në tregun shqiptar, ku bën pjesë edhe Fondi i Pensionit Albsig, që administrohet nga Albsig Invest, janë ndërtuar me një tolerancë të ulët risku dhe u drejtohen kryesisht klientëve konservatorë që kërkojnë një normë të moderuar kthimi.

Prandaj, politika e investimit e këtij fondi parashikon investimin vetëm në obligacione të shtetit shqiptar dhe është alternativa e parë bazë që një klient konservator duhet të zgjedhë për kursimet për pension. Nëse klienti kërkon një normë kthimi më të lartë, atëherë duhet të marrë më shumë rrezik.

Në këtë rast, ky fond, përveç obligacioneve, mund të investojë në aksione apo në asete alternative, si pasuri të patundshme për të pasur mbrojtje më të mirë edhe nga inflacioni. Mungesa e alternativave të investimit në Shqipëri, si rezultat i zhvillimit jo në nivelin e kërkuar të tregut të kapitaleve, bën që edhe fondet e pensionit të investojnë vetëm në obligacione të shtetit shqiptar.

Është e rëndësishme të theksohet fakti që pavarësisht se obligacionet mund të mos jenë mbrojtësit më të mirë ndaj inflacionit, mbajtja e parave të painvestuara do të ishte një alternativë edhe më e kushtueshme për këdo, duke qenë se në këtë rast inflacioni do të reflektohej i plotë. Megjithatë investimi në obligacionet qeveritare në Shqipëri është alternativa më e mirë për të kursyer për pension.

 

Së fundmi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka publikuar një projekt-rregullore që do të bëjë të zbatueshme shitjen në Shqipëri të kuotave të fondeve të investimit të licencuar në BE. Si e vlerësoni një hap të tillë dhe çfarë ndikimesh mund të japë në tregun shqiptar?

Projekt-rregullorja e ardhur për mendim ka si qëllim të rregullojë dhe të shtrojë bazën e nevojshme në disa aspekte apo aktivitete të parashikuara në ligjin nr. 52/2020 “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”.

Megjithatë, në vlerësimin që ne kemi bërë, mund të themi se kjo projekt-rregullore, në formën e propozuar, ka nevojë për përmirësime në disa aspekte, si dhe kufizon disa aspekte të tjera të cilat vetë ligji i lejon. Për këtë qëllim, Albsig Invest ka paraqitur pranë Autoritetit sugjerimet e saj, për ndryshime dhe përmirësime në mënyrë që zhvillimi i këtij aktiviteti të jetë sa më i qartë.

Gjithashtu kemi sugjeruar që të vlerësohet mundësia që deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, shitja e kuotave, apo aksioneve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike të licencuara në një vend të BE-së të mund të bëhet vetëm pas licencimit apo njohjes më parë të Shoqërisë administruese, apo degës së Shoqërisë administruese në Shqipëri.

Për ta përmbledhur, mund të themi që hyrja e aktorëve të huaj në tregun shqiptar do të sillte zhvillim të padiskutueshëm në ecurinë e fondeve të investimit në Shqipëri, si nga pikëpamja e administrimit të fondeve, ashtu edhe për njohuritë që do të sjellin në treg.

Por, në çdo rast, hyrja e aktorëve të huaj duhet të bëhet kundrejt një vlerësimi sa më prudencial dhe pa ndikuar tregun e brendshëm të fondeve të investimit, i cili në vetvete është në hapat e parë të ofrimit të ideve të reja për investitorët shqiptarë.

Cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për vitin 2022? Si prisni të ndikojë në tregun e fondeve të pensionit dhe investimit inflacioni i lartë dhe rritja e mëtejshme e normave të interesit?

Në muajt e parë të vitit 2022, Shoqëria administruese Albsig Invest licencoi dy fonde të reja, një fond pensioni “Fondin e Pensionit Vullnetar Smart Pension” dhe një fond investimi “Fondin e Investimit Albsig Selective Equity ETFs”.

Fondi i investimit i licencuar do të jetë në monedhën Euro dhe do të jetë fondi i parë, i cili do të investojë vetëm në fonde të huaja që tregtohen në bursë, apo të ashtuquajturat “exchange-traded funds”.

Siç është bërë e ditur tashmë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka hartuar një projektligj “Për fondet e pensionit privat”, i cili duke parë hapat e ndjekura deri në këto momente, besojmë që do miratohet brenda vjeshtës së këtij viti. Miratimi i këtij ligji, duke parë dhe përmirësimet që do të sjellë, në vlerësimin tonë do t’i japë një hov të ri pensioneve private.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve të pritshme, Albsig Invest miratoi dhe Fondin e Pensionit Smart Pension që do të ketë Bankën Kombëtare Tregtare si bankë depozitare. Pritshmëritë për këtë fond janë shumë të mëdha, duke vlerësuar potencialin që shfaq tregu, por padyshim dhe rrjetin e zgjeruar të vetë bankës depozitare.

Nga ana tjetër, hapja e një fondi investimi në monedhën Euro që do investojë vetëm në fonde që tregtohen në bursë, siç është fondi tashmë i miratuar Fondi i Investimit Albsig Selective Equity ETFs dhe që pritet t’u ofrohet investitorëve në vjeshtë të këtij viti, në vlerësimin tonë do të jetë ndër alternativat më të mira në fondet e investimit, padyshim duke pasur parasysh rrezikun e moderuar që ky fond paraqet kundrejt një kthimi të kënaqshëm për periudha afatmesme investimi.

Për sa i përket ndikimit të inflacionit në rritje, si dhe rritjes së mëtejshme të normave të interesit, në parashikimet tona, kjo në linjë edhe me parashikimet për ecurinë e inflacionit në SHBA dhe BE, inflacioni pritet të ketë ulje në fillim të vitit 2023.

Padyshim që rritja e normave të interesit është një lajm i mirë për anëtarët e fondit të pensionit, pasi kontributet e reja dhe riinvestimi i interesit të fituar në formë kuponi nga investimet aktuale do të investohen me norma më të larta interesi.

Për fondet e investimit, të cilat regjistrojnë obligacionet qeveritare me vlerë të drejtë, rritja e normave të interesit sjell ulje të vlerës aktuale të obligacioneve, por gjithashtu nënkupton që shumat e investuara sot do të rriten me këto norma të larta interesi.

Në këtë kuptim, për klientët që parashikonin të tërhiqnin investimet e tyre apo që kanë një horizont investimi shumë afatshkurtër, kjo nuk është një periudhë e leverdishme për ta, por është e leverdishme për klientë afatmesëm dhe afatgjatë.

Në fondin aktual të investimit Albsig Standard, ne u sugjerojmë klientëve që duhet të kenë një horizont investimi 2-5-vjeçar.

Në perceptimin e gjerë janë krijuar pritshmëri se normat e interesit do vijojnë të rriten edhe më shumë dhe investitorët ngurojnë që në këto momente të investojnë në fonde investimi. Nuk duhet harruar se rritja e normës bazë me 0.5% në fund të prillit 2022, u reflektua menjëherë te normat afatgjata të obligacioneve (me një rritje më shumë se 0.5%).

Në këtë kuptim, puna e Bankës së Shqipërisë është kryer plotësisht, dhe në varësi të ecurisë së inflacionit në muajt në vazhdim, normat e interesit mund të mos rriten në nivelet që parashikohej.

 

Open chat
Na kontaktoni!
Përshendetje!
Si mund t'ju ndihmojmë?