Ligji i ri për një shtysë pensioneve private

“Ndryshimet e propozuara ndihmojnë në rritjen e tregut, por nuk i zgjidhin përfundimisht problemet

Elton KORBI

Drejtor i Përgjithshëm i Shoqërisë Administruese Albsig INVEST

Publikuar nga Monitor | 18.01.2022

Projektligji i ri për fondet private të pensioneve adreson në mënyrë të kënaqshme disa prej problematikave që janë vërejtur në dekadën e fundit, por sërish incentivat fiskale që propozohen nuk janë të mjaftueshme.

Elton Korbi, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë administruese, Albsig Invest, thotë se aktorët e tregut kishin propozuar përjashtimin e plotë të pensioneve private në momentin e përfitimit, ndërsa AMF ka propozuar përjashtimin vetëm për pjesën e kontributeve. Në tërësi, z. Korbi mendon se projektligji mund të ndikojë dukshëm në shtimin e anëtarëve në fondet e pensionit, megjithatë nuk do t’u japë zgjidhje përfundimtare problemeve të pensioneve në Shqipëri. Sipas tij, nevojiten forma të tjera për stimulimin e fondeve të pensionit privat, duke realizuar një kombinim ndërmjet bërjes së detyrueshme të pensioneve private, sidomos për kategori të caktuara punësh, apo profesione të caktuara, dhe njëkohësisht duke dhënë stimuj monetarë për anëtarët.

Cilat janë qëndrimet tuaja kryesore rreth projektligjit “Për fondet e pensionit privat”, të hedhur për konsultim publik nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare?

Siç jeni në dijeni ligji aktual “Për fondet e pensionit vullnetar” është miratuar në fund të vitit 2009 dhe nuk ka pasur ndryshime që nga ajo kohë. Që nga miratimi i ligjit tregu i pensioneve private ka pasur zhvillime të ngadalta, megjithatë në vitet e fundit është vërejtur që kërkesa për sigurimin e një pensioni privat në Shqipëri ka ardhur gjithnjë në rritje. Ligji aktual për kohën kur është miratuar ka shërbyer si një shtysë e arsyeshme për personat që përveç pensionit shtetëror të kishin edhe një pension plotësues. Kohët e fundit është vërejtur që stimujt që ligji aktual jep për anëtarët e fondeve të pensionit janë të pamjaftueshme për një pjesë të gjerë të anëtarëve potencial, prandaj nga shoqëritë administruese të fondeve të pensionit por edhe nga anëtarët potencial është kërkuar me ngulm hartimi i një ligji të ri që do ishte i përafruar me standardet e aplikuara në Bashkimin Evropian, më konkretisht direktivën IORP II, por megjithatë duke marrë parasysh kërkesat dhe kushtet e Shqipërisë.

Projektligji “Për fondet e pensionit privat” i nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është hartuar nga kjo e fundit dhe gjatë periudhës shtator – tetor 2021 janë dërguar opinione paraprake nga shoqëritë administruese të fondeve të pensionit si dhe ka pasur diskutime dhe takime paraprake teknike për përmirësimin dhe përshtatje më të mirë të këtij projektligji.

Përsa i përket variantit të projektligji të nxjerrë për konsultim publik është e rëndësishme të theksohet së në përgjithësi ka sjellë disa përmirësime në trajtimin e disa problematikave në administrimin e fondeve, ofron një kategorizim të ri të fondeve të pensionit, rrit pragun e përjashtimit nga tatimi për të ardhurat personale duke e lidhur atë me pagën minimale, propozon tatimin vetëm për kthimin nga investimi në momentin e tërheqjes së fondeve në formë pensioni, por nga ana tjetër shton disa kërkesa të reja për shoqëritë administruese që do rezultojë në kosto për implementimin e tyre.

Më konkretisht, sipas projektligjit fondet ndahen në fonde me pjesëmarrje të hapura dhe fonde me pjesëmarrje të mbyllur, kjo e fundit është një nga risitë e propozuara në këtë projektligj. Fondet me pjesëmarrje të mbyllur do të krijohen vetëm për punëmarrësit e subjekteve që mund të jenë disa punëdhënës ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë apo bashkim sindikatash. Fondi me pjesëmarrje të mbyllura do i dedikohet vetëm këtyre subjekteve dhe nuk do të akomodojë në këtë fond subjekte të tjera. Projektligji të gjitha këto subjekte i përcakton si “sponsor”, kjo në përputhje dhe me direktivën e Bashkimit Evropian. Ndërsa fondet me pjesëmarrje të hapur do t’u ofrohen të gjithë anëtarëve që nuk janë pjesë e një sponsori, siç funksionojnë fondet me ligjin aktual.

Një ndryshim shumë i rëndësishëm është tatimi vetëm për kthimin nga investimi në momentin e tërheqjes së fondeve në formë pensioni, duke qenë se interesat nuk janë tatuar gjatë fazës së akumulimit, dhe rritja e tavanit të kontributeve për të përfituar nga zbritshmëria e tatimit mbi të ardhurat personale si dhe lidhja e kësaj të fundit me pagën minimale të miratuar në shkallë vendi. Këto janë disa ndryshime që shoqëritë administruese por edhe anëtarët aktuale e potencial të fondeve të pensioneve kanë kërkuar për një kohë të gjatë.

Tatimi vetëm për kthimin nga investimi në momentin e tërheqjes së fondeve në formë pensioni nënkupton që pavarësisht se anëtarët do kenë përjashtuar kontributin e tyre nga tatimi për të ardhurat personale gjatë viteve të akumulimit ata do paguajnë tatim vetëm për interesat e marra nga investimi i këtyre kontributeve dhe jo më për të gjithë shumën siç është aktualisht. Përsa i përket përfitimit nga përjashtimi i kontributeve nga tatimi mbi të ardhurat personale nënkupton që punëmarrësi do të mund të paguaj 30,000 lekë në muaj, sa paga minimale aktuale, në një fond pensioni privat dhe ky kontribut të zbritet nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe deklarimet tatimore mujore. Një faktor i rëndësishëm është propozimi që ky përjashtim nga tatimi të jetë sa paga minimale që do të thotë që me rritjen e pagës minimale edhe ky përjashtim nga tatimi do të rritet.

Nga ana tjetër nëse punëdhënësi do të kontribuojë për punëmarrësit e tij, kontributi i bërë nga ky punëdhënës do të njihet si shpenzim i njohur për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin deri në shumën e barabartë me pagën minimale vjetore të miratuar në shkallë vendi. Kjo nënkupton që edhe punëdhënësit do të mund të paguajnë 30,000 lekë në muaj në një fond pensioni privat për çdo punëmarrës dhe ky kontribut të njihet si shpenzim i njohur për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin.

Duhet theksuar fakti që projektligji propozon shtimin e disa kërkesa të reja për transparencën ndaj klientëve, të cilat vlerësojmë që përmirësojnë mënyrën e paraqitjes dhe gamën e informacioneve për klientët, megjithatë edhe aktualisht shoqëritë administruese ofrojnë një informacion transparent dhe të plotë për anëtarët. Këto kërkesa shtesë për transparencën do shtojnë kostot për implementimin e tyre në sistemet informatike të shoqërive administruese duke rënduar mbi gjendjen financiare të këtyre shoqërive, prandaj është e nevojshme një analizë më e thelluar për kosto-përfitimet që sjellin këto kërkesa të propozuara në projektligj.

Projektligji parashikon rritjen e pragut të përjashtimit nga tatimi për kontributet, në vlerën e pagës minimale ligjore, si edhe shtrirjen e tatimit në përfitim vetëm mbi kthimet nga investimi. Mendoni se këto incentiva janë të kënaqshme dhe të mjaftueshme për t’i bërë më atraktive fondet private të pensioneve?

Ashtu siç u theksua më sipër, projektligji parashikon rritjen e pragut të përjashtimit nga tatimi për kontributet si nga punëmarrësi apo individi ashtu edhe nga punëdhënësi si dhe lidhje e këtij përjashtimi me vlerën e pagës minimale. Gjithashtu projektligji parashikon shtrirjen e tatimit në përfitim vetëm mbi kthimet nga investimi duke qenë se interesat nuk janë tatuar gjatë fazës së akumulimit.

Ne vlerësimin tonë këto iniciativa të propozuara në këtë projektligj janë të kënaqshme por të pamjaftueshëm për t’i bërë më tërheqëse fondet private të pensioneve. Themi që këto ndryshime janë të kënaqshme duke parë që ka përmirësime të dukshme në lidhje me rritjen e pragut të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat personale për anëtarin dhe për punëdhënësin, në rastet e skemave të përbashkëta. Por nga ana tjetër vlerësojmë si të pamjaftueshme pasi nga ana e shoqërive administruese u propozua përjashtimi i plotë nga tatimi në momentin e përfitimit të pensionit, ndërkohë që u vendos të propozohej tatimi në përfitim vetëm mbi kthimet nga investimi. Për më tepër që shqetësimi që anëtarët kanë për dhënien e një sigurie juridike për mbajtjen e pandryshuar të normës së tatimit mbi kthimet nga investimi në momentin e tërheqjes së pensionit, nuk u pasqyrua në projektligjin e nxjerrë për konsultim.

Për ta përmbledhur, vlerësojmë që iniciativat e ndërmarra në projektligj do të ndikojnë dukshëm në shtimin e anëtarëve në fondet e pensionit ekzistuese apo të reja që do krijohen, megjithatë nuk do japë zgjidhje përfundimtare problemeve të pensioneve në Shqipëri pasi mendojmë që ka ardhur momenti për të gjetur forma të tjera për stimulimin e fondeve të pensionit privat duke realizuar një kombinim ndërmjet bërjes së detyrueshme të pensioneve private, sidomos për kategori të caktuara punësh apo profesione të caktuara, dhe njëkohësisht duke dhënë stimuj monetar për këdo që anëtarësohet në fonde pensioni privat.

Besoni se ndryshimet e parashikuara në politikat e investimit krijojnë hapësira për të përmirësuar kthimet e fondeve të pensionit? Cilat janë risitë më domethënëse, në këndvështrimin tuaj dhe a mund të sugjeroni ndryshime të tjera, veç atyre që propozon AMF?

Projektligji propozon zgjerimin e gamës së instrumenteve financiare ku fondet e pensionit privat mund të investojnë asetet e tyre, kuptohet duke parashikuar dhe kufizime përkatëse. Një nga risitë që mund të ketë një ndikim pozitiv në periudhën afatshkurtër është mundësia e fondeve të pensionit për të investuar në tituj borxhi të emetuara nga bankat që nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar. Megjithatë investimi në këto instrumente nuk duhet të tejkalojë 5% të vlerës së aseteve të fondit të pensionit në total si dhe nuk duhet të investohen më tepër se 2% të vlerës së aseteve të fondit, të emetuara nga një emetues i vetëm.

Është e rëndësishme të theksohet se në ligjin aktual parashikohen hapësira të mjaftueshme për investimin e aseteve në instrumente të tjerë përveç titujve të emetuara dhe garantuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, siç investojnë të gjitha fondet e pensionit aktualisht në treg. Problemi në këtë rast është tregu i vogël i pensioneve private si dhe kërkesa e ulët e anëtarëve për marrjen e rreziqeve me të larta kundrejt një kthimi më të lartë për fondet e tyre të pensionit. Një tjetër rrezik që do të shtohen në rastin e investimeve të fondeve të pensionit jashtë Republikës së Shqipërisë do të ishte dhe rreziku i kursit të këmbimit duke qenë se të ardhurat do jenë kryesisht në monedhën vendase lekë ndërsa investimet do kryheshin në monedhat Euro apo USD.

Me rritjen e tregut të pensioneve private dhe veçanërisht me gjetjen e mekanizmave të duhur për aktivizimin e shtyllës së dytë të pensioneve, përveç diferencimit nëpërmjet kostove të aplikuara, shoqëritë administruese do gjejnë mënyra për ofrimin në tregun e fondeve të pensionit që do kenë kthime të ndryshme kundrejt rreziqeve që shoqëron çdo fond.

Në kushtet aktuale të fondeve të pensionit parashikojmë që edhe për një periudhë afatmesme fondet e pensionit me një politikë investimit në obligacione të Shtetit Shqiptar do vijojë të jetë një alokim i përshtatshëm për anëtarët aktual dhe potencial, të cilët janë shumë të ndjeshëm ndaj riskut, dhe duan që kursimet e tyre për pension ti çojnë në investime të sigurta në treg. Gjithashtu obligacionet afatgjata të emetuara dhe garantuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë ofrojnë një normë të mirë interesi në krahasim me alternativat e tjera që ofrohen në vend për kursim. Me shtimin e anëtarëve dhe volumeve të kontributeve shoqëritë administruese mund të mendojnë hapjen e fondeve të reja me politika investimi me rrezik më të lartë dhe padyshim me kthime më të larta.

 

Open chat
Na kontaktoni!
Përshendetje!
Si mund t'ju ndihmojmë?